Sistemi i klasifikimit në Shqipëri mbështet konkurrueshmërinë e industrisë së turizmit – lobim dhe advokim.

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga Nevila POPA

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës

Problemi në fokus të çështjes sime i referohet mos-zbatimit të paketës ligjore mbi strukturat akomoduese të turizmit në Shqipëri, konkretisht në lidhje me klasifikimin e tyre. Në fakt, ky fakt mbetet ende një nga problematikat kryesore të zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Në të gjitha takimet e zhvilluara me aktorët kyç të fushës, u theksua domosdoshmëria e standardizimit të strukturave akomoduese në vend, sipas kategorive të klasifikimit të cilave ato u përkasin, varrësisht shërrbimeve që ofrojnë. Në këto kushte, nuk ishte e nevojshme të ndryshinim diçka nga problemi i identifikuar që në nisje, por u ndje e nevojshme të shtonim akoma më shumë nga sa kishim planifikuar, presionin për të zbatuar VKM e klasifikimit të strukturave akomoduese.

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)? 

Rezultatet e pritshme kishin të bënim me: 1) Angazhimin në një process dialogu të përfaqësuesve të komunitetit të strukturave akomoduese dhe aktorëve politikëbërës/vendimmarrës për të mundësuar zbatimin e bazës ligjore për klasifikimin e strukturave akomoduese. 2) Përgatitjen e një propozimi politikash së bashku me të gjithë aktorët e interesuar dhe ndarjen e tij me institucionet vendimmarrëse, si dhe 3) Njohjen e publikut, pra të komunitetit që përfaqëson kërkesën potenciale për shërbime turistike, me rëndësinë e frekuentimit të strukturave akomoduese bazuar në standardin a klasifikimit të tyre. Të gjitha këto rezultate janë arritur në kohën e menduar paraprakisht, rreth 9 muaj. Përpos publikimit në media sociale të aktiviteteve dhe angazhimit të hotelierëve, disa dalje në median vizive kanë bërë të mundur informimin e gjerë mbi standardet e duhura të strukturave akomoduese për klientët që i përdorin. Rezultatet e punës, dhe sidomos rerkomandimet e përgatitura, i kemi përçuar edhe tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, gjë që për ne ishte arritje në nivel influencimi. 

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Kjo iniciativë që kërkonte angazhimin sa të aktorëve jashtë institucioneve publike, aq edhe të strukturave qeveritare, si ajo e Minstrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ka në vetvete sfidat e koordinimit dhe të realizimit të dialogut. Nisma nisi zbatimin në shtator 2021, muaji kur u formua edhe qeveria e re e dale nga zgjedhjet parlamentare 2021, dhe për pasojë u desh kohë për të vendosur kontaktet me përfaqesuesit e Ministrisë, për shkak të ndryshimeve që pasuan në institucion. Nisur edhe nga burokracia e vetë institucionit, vështirësia e hasur për të komunikuar shpejt e në kohë ështe gjithmonë prezente me Ministrinë. Megjithatë, sfidat janë pjesë e procesit të zhvillimit në tërësi, ndaj i vendosa nën kendvështrimin e mundësive për të çuar më përpara iniciativën dhe jo të pengesave, duke vendosur ura komunikimi me kabinetin e ri të Ministres Kumbaro. Një tjetër sfidë e hasur ishte edhe pandemia COVID-19 me dy variante të reja dhe me virulencë të lartë, gjë që ndikoi në shtyrjen në kohë si edhe organizmin e aktiviteteve të parashikuara me prezencë të aktorëve. Këto aktivitete u zhvilluan online. Megjithatë nga pikëpamja kohore nuk u krijuan ngërçe. Një sfidë ndryshe ndoshta nga iniciativa të tjera të ngjashme, është fakti që kjo ka qenë një nismë personale për influencim në politikëbërjen për turizmin. Pavarësisht se unë kam pasur mbështetjen e plotë të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), nga pikëpamja administrative dhe menaxheriale unë e kam ndjekur tërësisht vetëm procesin. Mendoj se ia kam dalë të tregoj që advokimi përr të influencuar politika mund të realizohet jo vetëm nga ekipe por edhe nga individë, për sa kohë ekziston vullneti i aktorëve për të mbeshtetur iniciativat dhe angazhimi maksimal në kauzën e zgjedhur. 

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Duke ju referuar sfidave të përmendura më lart, mendoj se kontaktet me Ministrinë i vendosëm shpejt, nisur edhe nga angazhimi im i mëparshëm në strukturat e kësaj Ministrie. Nga takimet me ish-kolegë u qartësuan disa nga idetë e parashtruara në projekt, si edhe u njohëm me informacionin mbi ngritjen e një grupi pune për rishikimin e paketës ligjore të turizmit, përfshirë këtu edhe aspektin e standardit të strukturave akomoduese. Ndërkohë takimet e parashikuara me aktorët e interesit në grupe të fokusuara u organizuan gjate muajit shkurt 2022 online. Kjo zgjidhje na dha mundësinë kryerjes në kohë të aktiviteteve të parashikuara, dhe me këto kushte të parashtruara më lart, ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Turizmi është ndër ata sektorë të cilët efektet e ndryshimeve të tyre i kanë të shtrira në kohë dhe për të parë rezultate ekonomike duhet t’u referohemi planeve afatgjata. E thënë ndryshe kthimi i investimit nuk është i menjëhershëm, por kërkon kohën e vetë të maturimit, sidomos kur flitet për struktura akomoduese/ hotele. Ndaj edhe procesi i standardizimit si edhe i rishikimit të paketës ligjore kërkon kohën dhe vëmendjen e duhur. 

Nga takimet me përfaqësues të Minstrisë së Turizmit dhe Mjedisit si edhe nga kontaktet e ngushta me ATA, rezulton se është ngritur grupi i punës në Ministri për të rishikuar të gjithë paketën ligjore të turizmit – ligji i turizmit si edhe aktet nënligjore që e shoqërojnë atë. Ky është një nga impaktet e menjëhershme të iniciativës, dhe do të ndjekim me shumë vëmendje ecurinë e veprimeve të këtij grupi pune deri në rishikimin e ligjit në parlament, por edhe të akteve nënligjore – VKM-të përkatëse. Vetëm nëpërmjet regullimit të sektori me standarde të mirëfillta do të jetë e mundur të rritet konkurueshmëria si edhe të realizohet zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në Shqipëri.

Nisma “Sistemi i klasifikimit në Shqipëri mbështet konkurrueshmërinë e industrisë së turizmit – lobim dhe advokim.” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?